Skandali, çmimi Nobel në Letërsi për 2018-n shtyhet me 1 vit

E pllakosur nga një skandal abuzimesh seksuale, akademia suedeze njoftoi më herët se Nobeli i Letërsisë, sivjet nuk do të jepet, çka e bën këtë të parën herë në 75 vite që juria e fshehtë, përgjegjëse për dhënien e çmimit më prestigjioz të botës në këtë fushe, do ta anashkalojë ceremoninë në Vjeshtë.

Fituesi i 2018-tës do të shpallet më vonë, së bashku me atë të vitit 2019. Gjithçka lindi nga afera e ngacmimeve në të cilën është përfshirë edhe vetë Princesha e Kurorës, Viktoria e Suedisë, e ekspozuar së fundi si një prej viktimave të fotografit franko-suedez Jean-Claude Arnault, bashkëshort i poetes Katarina Frostenson, pjesëtare e akademisë.

Tre persona kanë rrëfyer deri tani se e kanë parë me sytë e tyre Arnalud teksa ngacmonte princeshën gjatë një eventi në 2006-tën; një prej asistenteve madje ka ndërhyrë për ta ndihmuar duke u hedhur mbi fotografin e duke e larguar me forcë.

Ky është skandali më i madh që prek Nobel që prej dorëzimit të parë të çmimit prestigjioz në 1901-shin. Akademia shpjegoi se vendimi u mor për shkak të asaj që e përshkroi si “mungesë të besimit publik”.

Dalja në këtë përfundim nuk ishte e lehtë: disa prej anëtarëve të saj këmbëngulnin që çmimi të ndiqte traditën, të tjerë argumentonin se në këtë moment, institucioni nuk është në gjendje të bëjë prezantimin e tij.

Përveç 6 viteve gjatë luftërave botërore, Nobeli nuk është dorëzuar vetëm një here, në 1935-sën për arsyen se nuk u arrit të gjendej asnjë fitues i denjë për të.

Arnault, i cili drejtonte një projekt kulturor të financuar nga Akademia Suedeze, akuzohet nga 18 gra për ngacmime seksuale madje disa nga incidentet ndodhin në prona që i përkasin organizatës.

Vetë e bashkëshortja e tij, Frostenson, dha dorëheqjen se bashku me kryetaren e akademisë, Prof. Sara Danius.