Shuhet Mikel Janku. Ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë

Futbolli shqiptar humbet një prej legjendave të tij. U nda nga jeta në moshën 78-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë, ish portieri i Partizanit dhe kombëtares shqiptare Mikel Janku.

I lindur në vitin 1941, Mikel Janku pati fillimisht një karrierë si aviator për t’iu dedikuar më pas futbollit.

Janku ka qenë pjesë e skuadrës së Partizanit në vitet 1962-1969 duke fituar kampionate kombëtare dhe kupa të Shqipërisë. Në periudhën 1964-1967 ai ka mbrojtur portën e kombëtares shqiptare duke zhvilluar 9 ndeshje zyrtare për kompeticionet e FIFA dhe UEFA.

Pasi mbylli karrierën si futbollist, Mikel Janku nisi atë të gazetarit dhe opinionistit sportiv. Federata Shqiptare e Futbollit e ka nderuar Mikel Jankun me titullin ‘Nderi i Futbollit shqiptar’. Ceremonia mortore për këtë legjendë të futbollit shqiptar do të bëhet ditën e premte.