Shuhet legjenda e boksit Muhamet Ali

Ish kampioni botëror i boksit, Muhamet Ali vdiq të premten mbrëma në moshën 74 vjeçare, pas një beteje 32-vjeçare me sëmundjen e parkinsonit.

Ali ndërroi jetë në Feniks të shtetit Arizona, ku prej tri ditësh mjekohej nga komplikime të frymëmarrjes.

Fillimisht ai quhej Cassius Clay dhe kishte lindur në një familje të klasës së mesme. E nisi boksin kur ishte 12 vjeç dhe, në vitin 1960, mori pjesë në Lojrat Olimpike të Romës, ku fitoi një medalje ari për peshën e lehtë.

Muhamet Ali u bë një boksier olimpik dhe profesional aq i admiruar, saqë revista “Sports Illustrated” e shpalli Sportist të Shekullit të 20.

Ai ishte njëri ndër sportistët më të dashur por edhe ndër më të debatuarit e Amerikës.

Pasi fitoi titullin e kampionit për peshat e rënda, Ali u konvertua në fenë myslimane dhe nuk pranoi të shkonte ushtar në Vietnam. Ai u bë një simbol i forcës, elokuencës dhe guximit, që i tejkalonte kufijtë e racës dhe të besimit.

Shërbimi funeral për legjendën e boksit Muhamet Ali është planifikuar të mbahet në qytetin e tij të lindjes Louisville të shtetit Kentaki.