Shqiptarja ua dedikoi çmimin e rëndësishëm në Angli të prekurve nga tërmeti

Studente PhD e Shkencave Inxhinierike në Universitetin e Oksfordit, Arta Çika është vlerësuar si një nga 100 fitueset e çmimit “TechWomen100” për vitin 2019 në Mbretërinë e Bashkuar (UK). Çika ka vendosur që t’ua dedikojë çmimin të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit dhe Shqipërisë në këtë moment të vështirë të rimëkëmbjes pas tërmetit shkatërrimtar.

Në një reagim emocionues pas marrjes së çmimit, është shprehur se do të jetë pranë vendit të saj në këto momente të vështira.

“Ndihem shumë e vlerësuar dhe krenare që jam zgjedhur si një nga 100 fitueset e çmimit “TechWomen100” për vitin 2019 ne Mbretërine e Bashkuar (UK). Dua të falënderoj nga zemra Jurinë Teknike që më zgjodhi, të gjithë publikun në mbarë botën e veçanërisht atë shqiptar që më votuan. Jam shumë e lumtur për të gjitha mesazhet, vlerësimet dhe mbeshtetjen që më keni dhënë këto javë.

Kujtimet e mia shkojnë mbrapa tek femijëria ime, kur isha një vajzë e vogël që i pëlqente të luante futboll ne rrugët e Kukësit po me ëndërra të mëdha. Do doja shumë të kthehesha mbrapa në kohë, të takoja atë vajzë luftarake dhe t’i thoja që ‘Vazhdo ëndërro fort. Asgjë nuk do të të ndalojë që të arrish synimet e tua.’

Dhe ky është një mesazh që dua t’ua them të gjitha vajzave të vogla në mbarë botën. Mos e konsideroni inxhinierinë si një “profesion burrash”, dhe mos kini frikë nga e panjohura. Puna gjithnjë shpërblehet.

Falë punës sime 10-vjeçare dhe mbështetjes së madhe nga familja ime, që ka qenë gjithmonë krahu im i djathtë, jam sot këtu e kjo me jep forcë për të vazhduar përpara.

Pa mbështetjen e tyre, asgjë nuk do të kishte qenë e mundur.

Ne fund, do doja t’ia dedikoja këtë çmim vendit tim të dashur, Shqipërisë, ku linda, u rrita e mora dijet e para dhe të gjithë njerëzve në veçanti atyre të prekur nga termeti.

Siç thotë edhe shprehja: “Supet e maleve dhe supet e shqiptarëve nuk janë kërrusur kurrë”. Vazhdoni të qëndroni të palëkundur. Jam pranë jush. Jemi të gjithë shqiptarët bashkë anembanë botës.

Kjo na jep forcë e na bën krenarë. Faleminderit të gjithëve”