Serie A, mbyllet sezoni, asnjë skuadër nuk shpallet kampion

Për një marrëveshje as që bëhet fjalë. Madje, klubet italianë janë të përçarë ashtu siç dëshmoi edhe Asambleja e fundit e Ligës së Futbollit. Drama me të cilën po përballet Italia si pasojë e Coronavirus dhe mungesa e një plani të mbështetur nga të gjithë aktorët e futbollit në vend rrezikon të mbyllë përpara kohe sezonin e Serie A. Ky skenar po forcohet më shumë me kalimin e ditëve, pasi duket e pamundur që skuadrat të kthehen shpejt në fushën e lojës.

Për momentin shpresohet që ndeshjet të rinisin në mesin e majit për të finalizuar garën dhe për të dhënë verdiktet e sezonit. Kjo vështirë që të ndodhë. Kështu, sipas “La Gazzetta Dello Sport” të gjithë duhet të përgatiten për mbylljen e parakohshme të sezonit. Titulli kampion nuk do të jepet, ndërsa biletat për në edicionin e ardhshëm të Kupave të Europës do të ndahen sipas renditjes aktuale. Po ashtu, asnjë prej skuadrave nuk do të zbresë nga kategoria, ndërsa dy skuadrat e para të Serie B do të ngjiten në Serie A.

Kjo do të thotë se vetëm sezoni i ardhshëm të luhet me 22 skuadra. Një plan që pritet të shoqërohet me shumë polemika mes klubeve që kërkojnë të ruajnë interesat e tyre. Kështu, Juventus që kryeson renditjen nuk do të heqë dorë nga titulli kampion, ndërsa Lazio kërkon të kthehet në fushë për të luajtur shanset e saj në garën për trofeun.