Rama: Ja arsyet e rënies së të ardhurave në buxhet

Në seancën plenare të kësaj të mërkure të Kuvendit të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij duke dhënë një panoramë të përgjithshme të ecurisë së ekonomisë së vendit, duke theksuar – siç u shpreh, – arsyet se përse kanë rënë të ardhurat në buxhetin e shtetit, ndryshe nga sa ishte planifikuar, çështje për të cilën opozita akuzon qeverinë për vjedhje dhe korrupsion. “Vendimi më i rëndësishëm lidhet me mbështetjen që Kuvendi do t’i japë operacionit kundër informalitetit. Sot ne jemi të gatshëm ta vazhdojmë atë, sepse deri më tani ky proces na ka dhënë rezultate inkurajuese lidhur me të shkuarën dhe të ardhmen. Faktori tjetër ka të bëjë me reformën në sektorin e energjisë. Vitin e kaluar ra prodhimi vendas që u kompensua me rritjen e importit të energjisë. TVSH e importit të energjisë ka ndikim të menjëhershëm dhe shumë të lartë në afatshkurtër, në krahasim me TVSH-në e mbledhur.