Qeveria ul pritshmëritë për ekonominë

Qeveria ka pranuar për herë të parë zyrtarisht se ekonomia nuk po ecën sipas pritshmërive dhe rimëkëmbja e saj do të jetë më e ngadaltë nga ajo që parashikohej në fillim të këtij viti.Në kuadrin e fundit makroekonomik dhe fiskal, Këshilli i Ministrave ka korrigjuar në ulje shifrën e rritjes ekonomike, jo vetëm për këtë vit, por edhe për tre vitet e ardhshme. Treguesi i rritjes ekonomike nuk është i vetmi që është korrigjuar në përkeqësim. Edhe shifra e borxhit publik do të jetë më e lartë nga ajo që pritej në fillim të vitit, e madje programi për uljen e tij është ndryshuar.