Po vjen Rrok’e Agimin… Muzika që zbret nga Gurët e Maleve

Në kuadër të 75 vjetorit të Çlirimit, Teatrit Kombëtar i Operas dhe Baletit, mbrëmjen e 29 nëntorit sjell “Rrok’e Agimin” një ngjarje e rëndësishme muzikore, një gërshetim i orkestrës simfonike me bandën elektrike, një takim vokalesh lirikë e të muzikës pop.
Parku Olimpik pranë Kompleksit Dinamo, është mjedisi që do të shndërrohet në skenë teknologjike, për të mirëpritur artistët dhe interpretuesit.

Koncerti është ndërtuar me këngë partizane, me përpunime dhe risjellje të këtyre këngëve prej autorëve të rëndësishëm që pasqyrojnë epopenë e Luftës Çlirimtare.Programi përmban krijimtari të kompozitorëve të luftës e pasluftës, të cilët i kënduan lirisë dhe rindërtimit të vendit, të rrënuar nga Lufta e II-të Botërore.

Kolonat zanore të disa filmave me tematikë nga rezistenca e popullit kundër pushtuesve nazifashistë, janë gjithashtu pjesë e repertorit të kësaj mbrëmjeje të veçantë, ku bashkohet krijimtaria e Çesk Zadesë, Kujtim Laros, Aleksandër Lalos, Feim Ibrahimit, Limos Dizdarit, etj, me frymën e orkestracioneve bashkekohore të emrave si Alfred Kaçinari e Gerti Druga, si edhe interpretimit të emrave të rinj, si Gjergj Kaçinari apo Kamela Islamaj.Ky 75 vjetor i Çlirimit përkon edhe me 100 vjetorin e lindjes së Kostandin Trakos.