Petrit Malaj merr titullin ‘Mjeshtër i Madh’

Aktori i njohur Petrit Malaj është nderuar sot me titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, për kontributin e çmuar ndër vite në art dhe reformat inovatore në Universitetin e Arteve.

Malaj u lind në Vlorë më 12 dhjetor 1961. Në vitin 1985, pas përfundimit të studimeve të larta dhe diplomimit me titullin “Aktor” në Shkollën e Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu”, menjëherë emërohet pedagog në këtë Fakultet, njëkohësisht duke kryer kualifikimet pasuniversitare.
Në vitin 2004 i akordohet titulli ”Profesor”.
Si interpretues i janë dhënë një numër titujsh ku veçohen: medalja “NAIM FRASHËRI” akorduar nga Kuvendi i Shqipërisë, ‘Medalioni i Festivalit’ në Festivalin e Pestë të Filmit Shqiptar, çmimi i dytë për aktorë për rolin në filmin “Kur hapen dyert e jetës”, si dhe të tjera diploma e dëshmi te ndryshme për aktivitetin krijues e shkencor.