“Omnix”, Manjani: Gjykata keqmenaxhoi çështjen. Masa disiplinore

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, në një deklaratë të mbajtur këtë paradite lidhur me rastin e kompanisë “Omnix” ka fajësuar Gjykatën e Durrësit se në mënyrë të paligjshme i ka dhënë pronësinë mbi një sipërfaqe toke prej 45 mijë metra katrorë familjes Selçuni, e përfshirë në debatin për ndërtimin e resortit turistik në Gjirin e Lalëzit.
Në komunikimin e tij me mediat, Manjani ka akuzuar gjyqtaren e çështjes, se i ka hequr në mënyrë të padokumentuar kompanisë libaneze të drejtën mbi sipërfaqen e tokë, gjë që sipas tij ka penguar në nisjen e punimeve për ndërtimin e resortit.
“Përgjegjësitë për këtë çështje fillojnë nga Gjykata e Durrësit, që ka gabuar rëndë procedurialisht, sepse u mjaftua të thërriste në gjyq vetëm Bashkinë dhe Avokaturën e Shtetit. Gabimi themelor është se nuk thirri asnjëherë as Hipotekën dhe as Zyrën e Kthimit dhe Kompensiimit të Pronave, që i kishte dhënë me qera tokën kompanisë”, ka deklaruar Manjani.