Nuk mbaron me kaq, “Game of Thrones” do të vijojë

Pak orë pas transmetimit të episodit 4 të “GOT 8”, autori i librave ku është bazuar seriali, George R.R. Martin azhurnoi fansat për spinoff-ët në vazhdim.
Në vitin 2018 u konfirmua zyrtarisht i pari nga 6 projektet në vazhdim të serialit. Tani, Martin zbuloi në blogun e tij se “HBO”-ja po punon me 3 spinoff-e: “Ai që nuk duhet ta quaj “The Long Night” do të nisë xhirimet në vjeshtë dhe dy seriale të tjera janë në fazë zhvillimi të skenarit dhe pritet të zyrtarizohen së shpejti”.
Projekti i parë i konfirmuar është një serial me ngjarje që i paraprijnë atyre të origjinalit, krijuar nga Jane Goldman në bashkëpunim me Martin, me protagonistë Naomi Watts, Josh Whitehouse, Naomi Ackie, Georgie Henley, Alex Sharp, Denise Gough, Jamie Campbell Bower, Sheila Atim, Ivanno Jeremiah, Toby Regbo e Miranda Richardson.
Show i njohur amerikan “Saturday Night Live” kishte fantazuar për disa pasues të “GOT”. Mes propozimeve të shumta ishte edhe “Cercei and the City”, referuar “Sex and the City”; “Arya”, si filmi i animuar “Daria”; “Game of Thrones: Special Victims Unit”, frymëzuar nga “Law & Order: Special Victims Unit”.