“November Rain”, kënga rok e rekordeve

“November Rain” e “Guns N’Roses” është padyshim një prej këngëve më të njohura të 20 viteve të fundit dhe sot përfaqëson një klasike në koncertet e grupit të Slash dhe Axl Rose. Dhe për ta vërtetuar këtë, nga “YouTube” vjen një rekord interesant.

Sipas “TimesNowNews”, “November Rain” ka kaluar 1 miliard klikime në “YouTube”, duke u bërë kështu e para këngë rok e të gjitha kohërave që arrin këtë rezultat.

Kënga, pjesë e albumit të tretë “Use Your Illusion I”, është shumë e famshme edhe për videon, me Slash që interpreton solon instrumentale përpara kishës në shkretëtirë.

“TimesNowNews” shkruan se ajo që e bën më entuziazmues lajmin është se kënga e “Guns N’Roses” është e para e viteve ‘90 që e kalon shifrën 1 miliard klikime në “YouTube”, duke treguar se publiku është ende i dhënë pas këtij grupi.

Videoklipi ka dalë 26 vjet më parë dhe u bë shumë shpejt një ndër më populloret e grupit. Në vitin 2017, ka marrë rreth 560.000 klikime në ditë.