Një libër kujtimesh nga Michelle Obama

Libri i mezipritur i ish-Zonjës së Parë amerikane, Michelle Obama, “Becoming”, është gati për botim.

Botuesit kanë shpallur ditën e diel që po afron koha e publikimit të librit me kujtime.

Shtëpia botuese, Penguin Random House, ka thënë në një deklaratë që libri është “një rrëfim i pazakontë, intim nga një grua me shpirt dhe përmbajtje, e cila ka mposhtur e vendosur pritshmëritë dhe që na frymëzon ne të bëjmë të njëjtën gjë.”

Libri do të botohet më 13 nëntor të këtij viti…ndërsa deri në botimin e tij, Obama do të ndërmarrë turin ndërkombëtar për të promovuar librin, i cili do të shtypet në 24 gjuhë dhe do të shitet $32.50 në Amerikë.

Libri i Obama-s “fton lexuesit në botën e saj, duke dokumentuar përvojat që e kanë formësuar, që nga fëmijëria në Anën Jugore të Chicago-s në vitet e saj në detyrën e rëndësishme kur balanconte kërkesat si nënë dhe të punës, me kohën e kaluar në adresat më të rëndësishme botërore.”

Në një postim, në Twitter, Michelle tha që shkrimi i librit ishte një “përvojë e thellë personale”. Botuesit thanë që libri premton të jetë “i ngrohtë, i zgjuar dhe zbulues.”

Në kohën e publikimit, Obama planifikon të dhurojë një milion kopje të librit në emër të familjes Obama, për një shoqatë jofitimprurëse që i kushtohet “promovimit të aksesit të barabartë në arsim duke siguruar libra të rinj, materiale mësimore dhe produkte të tjera thelbësore për fëmijët në nevojë në Amerikë dhe Kanada.”

Libri me kujtime do të jetë i dyti i ish-Zonjës së Parë. Në vitin 2012, ajo publikoi “American Grown”, një libër që dokumenton kopshtin me perime të Shtëpisë së Bardhë dhe promovon jetën e shëndetshme. Ish-Presidenti, Barack Obama po shkruan gjithashtu një libër me kujtime që do të publikohet nga Penguin Random House, që pritet të dalë në një kohë të caktuar gjatë këtij viti.