Nishani i kthen Kuvendit për rishqyrtim ligjin për turizmin

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka kthyer për rishqyrtim në Parlament ligjin për turizmin, i miratuar në fund të korrikut.Në argumentimin e vendimit të tij, Nishani vë në dukje se nene të caktuara të këtij ligji përmbajnë pika që bien ndesh me Kushtetutën. Nishani pretendon se, rregullimet ligjore referuar nenit 34 dhe 35 të ligjit cenojnë parimin e sigurisë juridike, pasi nuk tregohen mënyra, rregullat dhe procedurat për të vënë në dispozicion të investitorit pronën shtetërore, ndërkohë që termi “vënie në dispozicion” nuk njihet as nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë.