“Nga 2 euro, në miliona”, pas ndarjes nga “On Records”, Mozzik dhe Getinjo krijojnë “label”-in e tyre

Pak kohë më parë, largimi i Mozzik dhe Getinjos nga “On Records” u përfol shumë për nga mënyra sesi ndodhën ngjarjet dhe për faktin se gjithçka ndodhi papritur, kur dukej se marrëdhënia mes reperave dhe drejtuesve të label-it ishte shumë e mirë. Pavarësisht kësaj, mesa duket reperët kanë vendosur të nisin një rrugë të re, krijimin e një labeli të tyre.
Ditën e djeshme ata kanë njoftuar në Instagram për faqen e re zyrtare, “2 Euro Gang”. Madje, bazuar në këtë faqe djemtë po ecin me moton:
“Ne jemi e ardhmja, jemi pozitivë, luftojmë, nuk dorëzohemi. Nga 2 euro në miliona”.
Siç edhe Mozzik ka rrëfyer, ata e kanë nisur karrierën me shumë pak lekë në xhep, ndërkohë që tashmë janë ndër reperët më të kërkuar, ndoshta kjo është edhe arsyeja e zgjedhjes së këtij emri.
Të jetë “2 Euro Gang” labeli më i ri në treg? Nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’u urojmë suksese Mozzikut dhe Getinjos.