Nëna e Andrea Bocelli-t: Më thanë ta abortoja, se do të verbohej

“Ata më thanë ta abortoja, sepse djali do të ishte i verbër”.
Djali i saj është bërë një nga zërat më të famshëm në botë. Sepse ajo nënë, të cilës mjekët i këshilluan ta hiqte fëmijën gjatë shtatzënisë, ishte gruaja që lindi Andrea Bocelli-n. Rrëfimi erdhi pikërisht nga ajo, Edi Aringhieri, e ftuara e “Domenica In”.
Edi tregoi për jetën e djalit të saj, sesi humbi shikimin në moshën 12-vjeçare. Por mbi të gjitha atë zgjedhje që bëri në spital, shumë vite më parë.
“Më kujtohet kur më thanë: Hiqeni, fëmija juaj do të jetë i verbër. Shkova në spital për shkak të problemeve të rënda në stomak”, shpjegon nëna e Bocelli-t.
Në atë moment ata i thanë që Andrea do të lindte me një glaukomë kongjestive, e cila së shpejti do ta bënte të verbër. Por nëna e tenorit gjithashtu tregon se, kur ndodhej në një spital në Torino, djali i saj “u njoh me një njeri të rëndësishëm rus, që e donte muzikën simfonike dhe e dëgjonte gjithë ditën gjatë shtrimit të tij në spital.
“Ishte ai momenti kur Andrea e kuptoi se ishte magjepsur nga ai zhanër, madje duke shkuar aq larg sa të mos kuptonte se ishte në një klinikë. Nuk i kujtohej më që ishte i shtruar, ishte i hipnotizuar nga muzika”.
Por Edi vendosi të mos e hiqte fëmijën e saj, pavarësisht mendimit të mjekëve.
“Doja ta tregoja këtë histori, për t’i dhënë fuqi familjeve që përballen me situata të ngjashme, me atë që kemi jetuar ne”.