Messi fiton “këpucën e artë” për të gjashtën herë në karrierë

Në ditën kur festoi 15 vjetorin e debutimit zyrtar me Barcelonën, Lionel Mesi i shtoi historisë së tij unike në futboll edhe një kapitull tjetër të rëndësishëm.

Sulmuesi argjentinas fitoi Këpucën e Artë, dhe u vlerësua në një ceremoni të bukur për titullin e shënuesit më të mirë sezonin e kaluar, falë 36 golave në la Liga.

Futbollisti i skuadrës katalanase u vlerësua me këtë trofe të rëndësishëm për herë të 6 në karrierë, duke lënë pas krahëve bomberin francez Kilian Mbape’ dhe veteranin e serisë A, Fabio Kualjarela.

“Ia dedikoj këtë cmim familjes dhe skuadrës time, pa të cilët nuk do të kisha fituar asgjë. Për golat e mi kanë meritë të madhe Suarez dhe Zhordi Alba. Ëndërroj të fitoj një tjetër Champions me Barcelonën dhe kjo është sfida mqë e madhe për mua tani”, thotë Messi.

Që prej debutimit të tij në Tetor 2004, Lionel Mesi ka arritur të fitojë 34 trofe me Barcelonën, duke asfaltuar çdo rekord të klubit blaugrana e duke u vetë kandiduar si një nga futbollistë më të mirë të historisë, në mos më i miri prej të gjithëve.