Media italiane: Shqipëria perla e Mesdheut, plazhe si në Karaibe!

Në prag të verës, mediat ndërkombëtare i kanë kthyer sytë nga destinacionet përrallore, për t’ua propozuar lexuesve. Portale prestigjioze italiane, edhe këtë vit ndalen te Shqipëria. Vendi ynë cilësohet si destinacioni më i ri i Mesdheut, për shkak të bukurisë së detit dhe raportit të shkëlqyer mes cilësisë së shërbimeve të ofruara dhe çmimeve. TGCOM thotë se jugu i Shqipërisë është i krahasueshëm me plazhe ekzotike si Karaibet. Në një shkrim të titulluar “Shqipëria e modës midis natës dhe plazheve të Karaibeve”, në artikull përmenden 8 plazhet e vendit, në zonën e jugut.

Saranda është pjesa më glamoroze e brigjeve shqiptare. Ajo është e famshme edhe për atmosferën e natës. E ndodhur mes Jonit dhe kodrinave me ullinj para ishullit të Korfuzit, pak kilometra larg Greqisë, ajo ofron mundësinë e qëndrimit në hotele luksoze me çmime të përballueshme, një vakt në Kalanë e Lëkurësit, eksplorimin e Butrintit pasuri të UNESCO-s, etj. Riviera e Ksamilit, më në jug, është një tjetër dhuratë e natyrës. Ksamili – thotë “TGCOM”, – konsiderohet si perla e Jonit sa i takon bukurisë. Plazhi i Jalës vjen në stil karaibesh. Është një nga vendet më të bukura të bregut të Jonit, që mbledh të gjitha aromat e Mesdheut. Pas tij vjen Himara, vërtet joshëse, me aromën e pishave dhe shikimin drejt Jonit. Porto Palermo është plazhi me ngjyrë blu të mëndafshtë, që ka edhe një kështjellë veneciane. Nuk mbetet pas as gadishulli i Karaburunit, një margaritar i natyrës që ofron skenare të jashtëzakonshme, bashkë me ishullin e Sazanit. Vlora është po ashtu porti i dytë më i madh i vendit, qyteti ku Adriatiku dhe Joni bashkohen. E më në jug të tij vjen Dhërmiu, plazhi i gurëve dhe detit të ëndrrave.