Luiza Gega s’garon në Evropian. U penalizua nga rregullorja

Atletika Shqiptare nuk mundi dot të bëjë prezantimin e saj në Kampionatin Evropian të Sallave të mbyllura në Glasgow. As Izmir Smajlaj e as Luiza Gega nuk mundën të garonin.

Nëse atleti i kërcimit së gjatë pati probleme fizike që e tërhoqën nga aktiviteti, Luiza Gega u penalizua nga ndryshimet e rregullores për të cilat ajo dhe trajneri i saj u informuan shumë vonë.

Atletja shqiptare që ishte kualifikuar në 2 gara 1500 dhe 3000 m nuk u lejua të merrte pjesë në këtë disiplinë të dytë. Kjo për faktin se ajo nuk kishte njoftuar në kohë mospjesëmarrjen e saj në 1500 m. Sipas rregullores së re, Gega dhe stafi i saj duhet të kishin bërë të ditur vendimin e tyre një ditë para garës ose ajo mund të kishte hyrë në garën e 1500 m dhe ta linte atë përgjysmë, dicka të cilën ajo nuk e mësoi në kohën e duhur.

Disiplina e 1500 dhe 3000 m ishin parashikuar të zhvilloheshin brenda 1 dite madje diferenca kohore ishte 1 orë dhe për këtë arsye Gega dhe trajneri Taulant Stërmasi vendosën që ajo të garonte në 3000 m.

Sportistja shqiptare dhe stafi i saj bënë apelimin dhe çdo veprim tjetër të nevojshëm, por në fund nuk u lejua të marre pjesë. Ishte ky një vendim që sic shprehet vetë sportistja në rrjetet sociale e trishtoi dhe e theu pasi ajo ishte përgatitur për të dhënë maksimumin në këtë garë pavarësisht rezultatit që do të arrinte.

Luiza Gega shprehu keqardhjen për lodhjen dhe sakrificën saj dhe te trajnerit teksa punojne se bashku me pasionin per kete sport dhe shtoi se atë e presin ende gara të mëdha dhe në fakt në muajt në vazhdin do të jetë Botërori i Atletikës që këtë vit do të mbahet në Doha.