Lady Diana, mjeku tregon të vërtetën e vdekjes së princeshës

“Nëse Lady Diana do të kishte vendosur rripin e sigurisë me shumë mundësi do të kishte shpëtuar. Megjithatë rrethanat e aksidentit nuk ishin shumë të favorshme”.
Janë këto fjalët e Richard Shepherd, mjekut ligjor i cili u mor me hetimet për vdekjen e princeshës së Uellsit, ngjarje e ndodhur në Paris, më 31 gusht të vitit 1997.
Teksa kanë kaluar thuajse 22 vite nga ngjarja, mjeku ka vendosur që kujtimet e tij profesionale ti përmbledh në një libër me titull “Unnatural Causes” (Shkaqe jo natyrore).
Në të ai nxjerr detaje lidhur me aksidentin tragjik ku humbi jetën Lady Diana, teksa udhëtonte bashkë me mikun e saj Dodi Al-Fayed dhe shoferin Henri Paul.
Mjeku ligjor shpjegon se vdekja e princeshës, mund të ishte shmangur nëse do kishte vendosur rripin e sigurisë dhe jo vetëm kaq.
“Nëse do të kishte vendosur rripin e sigurisë, me gjasë Lady Diana do të ishte gjallë dhe do të dilte në publik, ndoshta me ndonjë hematomë apo kockë të thyer, por do të kishte mbijetuar. Megjithatë plaga e marrë nga princesha ishte një nga më të pazakontat, për të mos thënë më e pazakonta që kam parë në jetën time. Bëhet fjalë për një plagë të vogël, por në vendin e gabuar”, thotë Shepherd, shkruan noa.al.
Rasti i vdekjes së Lady Diana ka ngjallur shumë teori komploti, sidomos sa i takon ndihmës së shpejtë. Princesha nuk u transportua menjëherë me ambulancë dhe mjeku shpjegon arsyen.
“Pas aksidentit ishte plotësisht e ndërgjegjshme. Por përplasja kishte çarë një venë brenda mushkërive dhe kjo gjë kishte shkaktuar një hemorragji të brendshme, e cila rezultoi fatale dhe ndërhyrja kirurgjikale në spital, nuk shërbeu për asgjë”, thotë ai.