“Labyrinth”, gati vazhdimi i filmit me David Bowie

“TriStar Pictures” dhe “Jim Henson Company” arritën në një akord për të risjellë në ekran klasikun e viteve ’80 “Labyrinth”, me regji të Fede Alvarez

Gjatë një interviste mbi projektin, Alvarez deklaroi se skenari ka përfunduar: “Është një vazhdim direkt i filmit të parë, shumë vite më vonë. Tashmë e kemi një skenar dhe jemi shumë entuziastë për idenë. Duhet kohë dhe mund për ta realizuar një film të tillë”.

“Labyrinth” mbetet një klasik i kinemasë, duke kombinuar muzikalitetin ekscentrik të David Bowie, që interpretonte mbretin e Goblin, me imagjinatën dhe magjinë e Jim Henson. Filmi u dallua për botën e tij fantastike dhe krijesat, ashtu sikurse dhe këngët.

Vazhdimet e filmave, në kohë reale, janë bërë një trend tashmë në Hollywood dhe në përgjithësi përkthehen në projekte më të mira krahasuar me tipikët remake apo reboot. P.sh., “Halloween” pati një rezultat fantastik, me ngjarjet të ambientuara 40 vjet më vonë nga origjinali.