Kinë, fansat u dëbuan nga koncerti, Dua Lipa qau në skenë

Duhet të ishte thjesht një festë, por u krijua një tension i madh gjatë koncertit të Dua Lipa në “National Exhibition Centre”, në Shangai, kur burrat e sigurisë ndërhynë për të nxjerrë jashtë disa fansa, ndërsa këngëtarja me origjinë kosovare ishte duke performuar.
Sipas medies, nxjerrja me forcë nga koncerti ndodhi sepse disa pjesëmarrës u ngritën në këmbë nga vendet e tyre dhe valëvitën flamuj ylber, simbol i Lgbt.Dua Lipa u trondit shumë nga ngjarja dhe me lot në sy tha se dëshironte që koncertet e saj të ishin momente të këndshme, festive, për t’u argëtuar së bashku.

Ndërsa në “Twitter”, këngëtarja me origjinë kosovare shkroi: “Jam me ju për dashurinë tuaj dhe për mendimet tuaja dhe jam krenare e mirënjohëse që jeni ndier mjaft të sigurt për të treguar krenarinë tuaj në koncertin tim. Për atë që bënë duhej shumë kurajë. Gjithnjë kam dashur që muzika ime të transmetonte forcë, shpresë dhe unitet. U trondita nga ajo që ndodhi dhe shpreh dashurinë time për të gjithë fansat në koncertin në Kinë. Shpresoj të rikthehem për ju dhe shpresoj të gjej një vend plot me ylbere”.