Kanye West do të shkruajë një libër filozofik online

Përkrah muzikës dhe modës, Kanye West ka vendosur t’i hyjë dhe letërsisë. Reperi njoftoi në “Twitter” se do të shkruajë një libër filozofik në kohë reale në këtë rrjet social.

“Asnjë botues nuk do të më thotë se çfarë të shkruaj apo se sa faqe duhet të ketë. Nuk është një mundësi financiare, por thjesht një nevojë për t’u shprehur”, shkroi West në postimin e tij në “Twitter”.

“Do të punoj mbi këtë libër kur ta ndjej. Kur ngrihemi në mëngjes mund të kemi shumë ide dhe shumë gjëra që duam t’i shprehim. Nuk rendim te telefoni apo në internet për të folur me dikë, të paktën në orën e parë. Shijoni momentin. E tashmja është momenti më i madh në jetën tonë dhe gjithnjë duhet të bëhet më i mirë. Pjesa e keqe dhe e mërzitshme të shton ankthin. Por, kjo është jeta. Ky është filmi më i madh që do të shohim ndonjëherë”.

Reperi gjithashtu ka njoftuar se po shkruan librin “Break the Simulation”, rreth artit dhe spiritualizmit, së bashku me dizajnuesin Axel Vervoordt. Libri fokusohet te fakti se pse shoqëria pëlqen fotografitë.