“Ka ardhur momenti i duhur”, Migjen Basha i jep lamtumirë Kombëtares kuqezi

Migjen Basha ka vendosur t’i thotë lamtumirë Kombëtares shqiptare të futbollit.
Arsyet sipas tij janë që ti përkushtohet më tepër familjes, si dhe dëshira për t’u lënë hapësirë të rinjve.
“Më shumë kohë për familjen dhe më shumë hapësira për të rinjtë”, përmend Basha si arsyet kryesore që e shtyjnë t’i japë lamtumirën Kombëtares kuqezi në moshën thuajse 33-vjeçare.
Mesfushori me origjinë nga Suhareka i është bashkuar Kombëtares Shqiptare në vitin 2013 dhe debutoi më 22 mars në ndeshjen jashtë ndaj Norvegjisë, të cilën kuqezinjtë e fituan 0-1 me golin spektakolar të Hamdi Salihit
Në deklaratën e tij, ai falënderon shokët e skuadrës, stafin teknik dhe FSHF-në, për mundësinë që i kanë dhënë.
Basha ka luajtur 29 ndeshje me kuqezinjtë, duke arritur të gjejë 3 herë golin. Aktualisht mesfushori është pjesë e grekëve të Aris Selanik, me të cilët ka kontratë deri në verën e ardhshme.
“Mendoj që ka ardhur momenti i duhur për mua që t’i dedikoj më tepër kohë familjes time.”
“Por në të njëjtën kohe, t’i japim mundësinë dhe lojtarëve më të rinj të kenë më tepër hapësira në ekipin kombëtar. Dua të falënderojë nga zemra te gjithë lojtarët e ekipit kombëtar, shokët e miqtë e mi gjate këtyre viteve. Falënderoj stafin teknik te ekipit kombëtar dhe Federatën Shqiptare te Futbollit për mundësinë“, theksoi Basha, në mesazhin e tij mbi vendimin për t’u tërhequr nga ekipi kombëtar i Shqipërisë.
Kuqezinjtë pas katër ndeshjeve të para kualifikuese Euro 2020, do të përballen në shtator me Islandën në Elbasan, në ndeshjen e radhës.