Jonida Maliqi përballë Melania Trump, fansat e ‘Eurovision’ zgjedhin këngëtaren shqiptare, po ju?

Jonida Maliqi prej pak javësh ka nisur turneun në disa vende të Europës për të promovuar këngën “Ktheju Tokës”, me të cilën do të prezantojë Shqipërinë në ‘Eurovision’. Kënga është pritur mjaft mirë nga fansat e festivalit europian, por edhe Jonida është komentuar shumë për performancat e saj. Përveç vokalit të fuqishëm, këngëtarja shqiptare është pëlqyer shumë edhe për veshjet gjatë këtij turi. Duke qenë se Jonida shquhet për stilin e saj të veçantë, ka arritur të zgjedhë gjithmonë veshjet e duhura dhe të tërheqë vëmendjen. Së fundmi një nga faqet më të njohura që analizon dhe bën sondazhe për performancat e ‘Eurovision’, “WiwiBlogs” ka vënë në një përballje Jonida Maliqin me zonjën e parë të SHBA-ve, Melania Trump. Për performancën e saj në Madrid, këngëtarja shqiptare zgjodhi një fustan të bardhë me pika të zeza nga Alessandra Rich, të cilin e ka veshur edhe Melania Trump. Duke qenë se këngëtarja shqiptare dhe zonja e parë kanë bërë ‘xing’ me veshjen “WiwiBlogs” ka pyetur fansat e “Eurovision” se cila prej tyre e ka veshur më bukur. Komentet ishin të shumta dhe pjesa më e madhe zgjodhën këngëtaren shqiptare.
Në këtë mënyrë Jonida tregoi edhe njëherë se stili i saj është i pakrahasueshëm dhe është e sigurtë se do lërë gjurmë gjatë në ‘Eurovision’ për performancat e saj skenike.