Islanda mbyll një kanion për faj të Justin Bieber

Islanda do të mbyllë për turistët një kanion tepër të njohur, për shkak të Justin Bieber. Këngëtari kanadez xhiroi një video në fantastiken Fjadrargljufur, në fund të vitit 2015, dhe pati një vërshim vizitorësh.

Agjencia e Ambientit vendosi të ndalojë hyrjen e njerëzve deri më 1 qershor, për të ndaluar shkatërrimin e zonës, në një periudhë lagështie të një vendi delikat.

“Prej konsistencës dhe trashësisë së shtresës së baltës, turistët përfundojnë duke anashkaluar gardhet që rrethojnë zonat ku rritet bimësia e mbrojtur. Dhe ata bëjnë dëm”, -deklaruan autoritetet islandeze.

Pas publikimit të këngës “I’ll show you”, të Bieber, vizitat në kanion janë shtuar me rreth 80%, sidomos në vitin 2016. Vitin e kaluar ishulli viking pati mbi 2.3 milionë vizitorë, një rekord që s’kishte ndodhur kurrë më parë.