Icardi do vetëm Juven, sulmuesi dikton kushtet tek Inter

Pasi e zhveshi nga shiriti i kapitenit dhe e detyroi të qëndrojë larg ekipit të parë, jashtë planeve për të ardhmen, Inter i hoqi numrin 9 Mauro Icardit duke rikonfirmuar kushtet për të gjetur një skuadër të re për sulmuesin.

Por edhe futbollisti latin nga ana e tij, po dikton kushte të vështira për zikaltërit.

Opsioni i vetëm i pëlqyeshëm nga Icardi për momentin është Juventus. Kjo manovër do t’i lejonte familjes së sulmuesit që të qëndronte në Milano dhe të mos ndryshonte totalisht jetesën për shkak të transfertës.

Por në aksin zikaltër të qytetit e pranojnë me vështirësi që një nga futbollistë më me vlerë të fuqizojë rivalët e përjetshëm, vetëm nëse kjo sjell kundërpesha teknike si emri i Paulo Dybala.

Inter kërkon të përkthejë në para’ të gjithë këtë telenovelë që ka kaluar kufijtë e futbollit, që nga presioni i agjentes, kërkesat ekonomike dhe refuzimi për të zbritur në fushë. Ndërkohë skuadra tjetër e interesuar, Napoli po del ngadalë nga skena e merkatos. Shumëkush mendon edhe se Icardi do të vazhdojë luftën me Interin duke diktuar qëndrimin e detyrueshëm të paktën deri në muajin Janar.

Skuadra e tij ligjore synon të padisë Interin për ta detyruar klubin që të luajë në 10% të ndeshjeve, në bazë të artikullit 15 të statutit të FIFA-s.