I dorëzoi trofeun e “Topit të Artë”, zbulohet biseda mes Modric dhe Messi

Rivaliteti është lënë “jashtë” dhe gjithçka u mor me sportivitet të madh.

Është kjo tabloja e mbrëmjes gala të “France Football”, me Luka Modric që nderoi në mënyrën më të mirë të mundshme fituesin e “Topit të Artë” për vitin 2019, Lionel Messi.

Sikur asnjëherë më parë, Modric, fituesi i sezonit të shkuar ishte prezent në ceremoni, ku edhe i dorëzoi trofeun rivalit të tij te Barcelona. Gjatë dorëzimit të “Topit të Artë”, mesfushori i Realit të Madridit komunikoi pak fjalë me “pleshtin” argjentinas, të cilin e uroi për atë që ka treguar në fushën e blertë.

“Urime! Ju e meritoni. Messi është mbresëlënës, një nga më të mirë të të gjitha kohërave dhe unë e përgëzoj për atë që ka bërë. Mund të ishte një traditë e bukur që fituesi i fundit i trofeut t’ia jep fituesit tjetër. Unë jam këtu sepse futbolli ka të bëjë me respektin. Kjo është arsyeja pse kam ardhur këtu, për ta uruar dhe për t’i dhënë çmimin,” tha Modric.

Kroati 34-vjeçar nuk ishte pjesë e 30 finalistëve të çmimit “Topi i Artë” për këtë vit, pasi ka treguar një formë aspak të kënaqshme me ekipin dhe kombëtaren.