Gropa gjigante përpin autobusin, të paktën 6 viktima

Të paktën 6 persona mbetën të vrarë kur një gropë thithëse përpiu një autobus dhe disa këmbësor në verilindje të Kinës.

Pamjet e shfaqura në mediat vendase tregojnë autobusin që ndalon në një stacion në Xining, në provincën e Qinghai, përpara se sipërfaqja e rrugës të hapet poshtë tij, duke bërë që i gjithë mjeti të bjerë brenda.

Këmbësorët mund të shihen teksa largohen me vrap, ndërkohë që shpërthime dhe tym del nga gropa gjigante.

“Gropa u mbush me ujë, ndërsa shpërthimi ndodhi për shkak se kishte kabull elektrik. Zhurma ishte shumë e fortë. Një tub u ça dhe nisi të mbushej me ujë“, tha një dëshmitar për amerikanen CNN.

Një person, i cili shpëtoi një fëmijë nga cepi i gropës u kthye sëbashku me të tjerë për të ndihmuar një grua. Por rruga u shemb sërish duke bërë që të binin të gjithë brenda.

Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën, jashtë një klinike shëndetësore, duke i marrë jetën 6 personave. 16 të tjerë ndodhen në spital, ndërsa 4 rezultojnë të zhdukur.