GP Hungari, Vettel shkëlqen në provat e lira

Ferrari jep shenja jete në Hungari, me Sebastian Vettel që në sesionin e tretë të provave të lira vendosi edhe rekordin e pistës, që mbahej që nga viti 2004.

Gjermani i kokëkuqes, pas dy sesioneve të parë jo shumë mbresëlënëse, shfaqet shumë i shpejtë në sesionin e tretë, duke e ndalur kronometrin në kohën 1.17.017.

Pas tij u rendit shoku i skuadrës, që edhe në dy sesionet e para ishte shumë afër kohëve më të mira. Finlandezi regjistroi një kohë 4 të dhjetat më ngadalë se Vettel.

Kohën e tretë më të shpejtë e regjistroi Bottas, që nuk shkoi më poshtë se 1.17.914. Ricciardo që në dy sesionet e para ishte më i shpejti, përfundoi në vendin e 8, ndërkohë që Hamilton u rendit në vendin e pestë, pas Verstappen.

Për t’u veçuar në këtë sesion të tretë ishte edhe tërheqja për arsye fizike e brazilianit Massa, që me shumë gjasa në provat kualifikuese do të zëvendësohet nga Paul di Resta.