Gianni De Biasi nuk e harron Shqipërinë, i vjen në ndihmë të prekurve nga tërmeti

Ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi nuk e ka harruar për asnjë moment Shqipërinë. Madje ai ka vendosur t’i bashkohet personazheve të shumtë që kanë ndihmuar me kontributet e tyre në ringritjen e shtëpive të të prekurve nga tërmeti. Nëpërmjet një video-mesazhi të postuar në Facebook, ish-trajneri i kuqezinjve fton miqtë e tij italianë në grumbullimin e fondeve për të prekurit nga tërmeti.

“Përshëndetje të gjithëve! Miqtë e mi të “Bici E Solidarieta’ Carovigno” organizojnë të shtunën, më 14 dhjetor, një takim bamirësie në favor të njerëzve të goditur nga tërmeti në Shqipëri. Ju ftoj të merrni pjesë sa më shumë, për të dhënë edhe ne kontributin tonë. Edhe një herë faleminderit dhe forca Shqipëri!”. De Biasi e ka treguar herë pas here lidhjen e fortë që ka me vendin tonë, edhe pse nuk është prej kohësh më trajneri i Shqipërisë.