E zhdukur prej 22 vitesh, kryevepra 60 milionë euro gjendet mbrapa një muri

Pas 22 vitesh, me shumë gjasa është zgjidhur një nga misteret më të mëdha të artit bashkëkohor, zhdukja e një prej veprave më domethënëse të mjeshtrit austriak Gustav Klimt, “Portreti i një zonje”.
Piktura, vlera e të cilës kalon 60 milionë euro, ishte zhdukur në mënyrë të mistershme në vitin 1997 në Piacenza të Italisë, në Galerinë e Artit Modern.
Autoritetet në atë kohë kishin deklaruar vjedhjen e pikturës, edhe pse mënyra sesi autorët ia kishin dalë mbanë nga një godinë e mbrojtur me sisteme të sofistikuara për kohën.
Misteri u zbulua krejt rastësisht disa ditë më parë, kur një punëtor që po punonte në një nga muret e jashtme të muzeut gjeti një thes të zi me një kuti, dhe për një moment mendoi ta hidhte, nga sasia e pluhurit.
Një pluhur 22-vjeçar, nga momenti që pakoja kishte brenda pikërisht atë që mendohet të jetë piktura e shtrenjtë. Hajdutët e kishin fshehur aty, ndoshta duke menduar ta merrnin kur vëmendja e opinionit publik të harronte kryeveprën.
Edhe pse verifikimet paraprake të ekspertëve janë pozitive, analiza të mëtejshme po kryen, edhe pse vepra e pikturuar në periudhën e fundit të jetës së Klimt (1916-18), ishte realizuar mbi një tjetër portret, konturet e të cilit ende duhet të duken me mjete të përshtatshme.
Gustav Klimt (1862-1918), është një nga figurat më të rëndësishme të shkollës simboliste, dhe pikturat e tij, përgjithësisht portrete femërore, si “Puthja”, “Përqafimi”, “Judith me kokën e Holofernit”, “Tre epokat e Grave” janë shndërruar në simbol të bukurisë femërore. Një pikturë e tij, Adele Bloch-Bauer, u shit në 2006 për shifrën rekord e 135 milionë dollarë në Nju Jork.