Dua Lipa në duet me Andrea Bocelli

Adhuruesit e këngëtares kosovare me famë botërore Dua Lipa së shpejti do të kenë rastin të dëgjojnë një këngë të re nga artistja, e cila kësaj radhe vjen në duet. Bëhet fjalë për artistin e famshëm italian Andrea Bocelli.

Lipa është mysafire në albumin më të ri të Bocellit, pjesë e të cilit është kënga e tyre e titulluar “If only”, e cila pritet të publikohet pas pak ditësh.

Përveç Lipës, për albumin e titulluar “SI” Andrea Bocelli ka bashkëpunuar me artistë të njohur si Ed Sheeran, Matteo Bocelli e Josh Groban.

Ky album ka gjithsej 16 këngë, ndërsa kënga e cila e hap dhe e mbyll albumin është bërë e ditur se titullohet “Ali di Liberta” dhe ka dy versione të saj, duke përfshirë edhe atë akustik.

Aktualisht këngëtarja nga Kosova Dua Lipa po vazhdon aktivitetin e saj muzikor përmes turneve dhe po shijon sukseset e këngëve të saja të reja, që janë pjesë e albumit të ri.