Dëshmitari: Ja si i provokoi Noizy Babastars-at

Një sherr me armë ka ndodhur përballë një hoteli në Prishtinë ditën e djeshme. Konflikti ka qenë midis dy grupeve muzikore. “Babastars” dhe “OTR” janë përleshur mes tyre në qendër të Prishtinës, duke shkaktuar panik edhe tek kalimtarët e rastit.

“Pak minuta para orës 18, ka ndodhur një përleshje mes 4 personave, nga ku si pasojë e kësaj është plagosur një person, i cili është dërguar në emergjencë për trajtim, ndërsa 3 të tjerë janë arrestuar”, thuhet në komunikatën e policisë së Kosovës. Dëshmitarët që kanë qenë afër vendit të ngjarjes kanë thënë se janë përfshirë në përleshje dy reperë të njohur shqiptarë, Noizy dhe Cozman. I plagosur mësohet se ka mbetur Noizy. Dëshmitarët që ishin në konfliktin e djeshëm kanë deklaruar se ka qenë Noizy, ai që ka nisur i pari sherrin me djemtë e “Babastars”.

Për mediat kosovare të pranishmit kanë thënë: “Noizy po pinte kafe në restorantin e hotelit, kur aty erdhi Skivi bashkë me një djalë dhe më një femër tjetër. Porsa ka ardhur Skivi, kanë nisur sharjet mes tyre”, ka treguar dëshmitari. Më pas siç tregon ai, Skivi ka thirrur në telefon “bandën” e tij, të cilët kanë ardhur me një veturë. “Në atë moment ka nisur dhe sherri. Noizy është afruar afër veturës ku ishte Cozmani dhe një fjalosje e sipër e ka goditur fort me grushte në fytyrë shoferin, që e kishte emrin Albert. E më pas me të njëjtën forcë e ka goditur edhe Cozmanin”, vazhdon rrëfimin. “Në atë rast janë dëgjuar dy-tri të shtëna në fillim, kurse më pas edhe disa tjera, ku janë lënduar dy persona”, tregon dëshmitari i tmerruar me ajo që kishte parë me sy.

Megjithatë, një nga miqtë e Noizyt, i pranishëm në këtë konflikt, ka rrëfyer një tjetër version për “Summer Pages”. “Nuk ka pasur debat mes grupeve. Sapo na kanë parë, na janë afruar dhe na kanë goditur, ne thjesht jemi mbrojtur. Cozman së bashku me miqtë e tij na ka ardhur pa paralajmërim dhe na kanë goditur. Megjithatë, asnjë nga djemtë tanë nuk ka marrë dëmtime serioze”, shprehet një prej shoqëruesve të reperit të mirënjohur për “GSH”. Megjithatë, vetë reperi i mirënjohur ka mohuar të jetë i plagosur. “Nuk e di se çfarë ka ndodhur, sonte ju pres në Ferizaj dhe Mitrovicë”, ka thënë Noizy. Ndërsa, i pyetur se a ka mundësi që kjo përleshje të ketë arsye të vjetra, ai ka theksuar: “Ka mundësi, nuk jam i sigurt”. Gjithashtu, Noizy ka thënë: “S’ka pas provokime, do t’i shihni videot. Krejt OTR janë mirë. Nuk jam i lënduar në kokë. Ishte gjaku i dikujt tjetër jo gjak i imi, edhe Varrosi është mirë”, është shprehur Noizy pas konfliktit me labelin kundërshtar.