Charlize Theron mahnit në premierën e filmit “Tully”

Charlize Theron solli glamur në qendër të Los Angelesit teksa parakaloi mbi tapetin e kuq të shtruar me rastin e premierës së filmit të saj të ri, “Tully”.

‘Tully’, një komedi e regjisorit Jason Reitman dhe me skenar të Diablo Cody-it, flet për sfidat që e përcjellin një nënë, si dhe njëkohësisht e shënon bashkëpunimin e dytë të aktores së shpërblyer me Oscar, me këtë regjisor dhe skenarist, pas filmit të vitit 2011, “Young Adult.”

E, për ta portretizuar protagonisten Marlo, një nënë e tre fëmijëve, e cila ballafaqohet me rritjen e tyre, Theron e ka bërë një transformim fizik duke i shtuar 22 kilogramë në peshë, transmeton emisioni Express në KTV.

“Më duket sikur është e pamundur ta portretizosh një femër sikur Marlo dhe të mos e respektosh atë nëpër çfarë ka kaluar ajo. Ti duhet të kalosh nëpër një udhëtim emocional dhe pjesë e këtij udhëtimi është edhe transformimi i saj fizik. Unë nuk kam dashur të bëj diçka që do të dukej jo reale për femrat që përballen me situata të ngjashme çdo ditë, siç është shtatzënia, pesha e madhe që e fitojnë prej saj dhe pastaj problemet nëpër të cilat kalojnë për ta humbur këtë peshë. Nuk dua të jem ajo aktore, e cila vjen në sheshin e xhirimeve dhe e kërkon një kostum që e bën atë të duket e plotë. Jo. Kam dashur të ndihem sa më afër ndjenjës që e përjetojnë këto femra dhe të bashkëndjej me to”, ka thënë ajo.

Theron, e cila i ka dy fëmijë, tha se shpreson që filmi do ta shfaqë një anë të amësisë që nuk është parë me herët në ekran.

‘Tully’ do të fillojë së shfaquri nëpër kinematë amerikane nga 4 maji.