Cameron: Britania do të bombardojë ISIS-in

Në përpjekje për të bindur ligjvënësit britanikë për domosdoshmërinë e përfshirjes së Britanisë së Madhe në sulmet ajrore në Siri dhe Irak kundër terorristëve të Shtetit Islamik, kryeministri David Cameron thotë se “është e gabuar që Britania t’ia nënkontraktojë sigurinë e saj vendeve të tjera dhe të presë pilotët e vendeve të tjera të mbajnë barrën dhe rreziqet e goditjes së ISIS-it në Siri, për të penguar aktet terroriste në Britani”. Parti të tjera kanë kërkuar si kusht miratimin e OKB-së dhe pasjen e një zgjidhjeje politike në Siri, por kryeministri ka theksuar se Britania nuk do të presë për një marrëveshje politike përpara se të veprojë. Në planin prej shtatë pikash të Cameronit përfshihen më shumë masa antiterror, avancimi i një zgjidhjeje politike me një qeveri siriane që të përfaqësojë të gjithë sirianët, mposhtja e ISIS-it përmes veprimeve ushtarake dhe më tej.