“Billionaire Boys Club”, filmi me Kevin Spacey vetëm në disa kinema

“Billionaire Boys Club” do të dalë vetëm në disa kinema në SHBA, më 17 gusht, duke pasuar debutimin në VOD në mes të korrikut. Fati i filmit s’ishte shumë i qartë pas akuzave për ngacmim seksual ndaj Kevin Spacey, vjeshtën e vitit të kaluar.

“Netflix” dhe “MRC” e pushuan nga “House of Cards”, ndërsa Ridley Scott e zëvendësoi me Christopher Plummer në “All the Money in the World”.

Shpërndarësi i pavarur “Vertical Entertainment”, që është marrë dhe me filmin e ri të John Travoltas, “Gotti”, bëri të ditur se nuk ishte një vendim i lehtë për ta nxjerrë filmin në kinema.

“Vertical Entertainment” thekson faktin se Spacey ka një pjesë shumë të vogël në film dhe është rol dytësor. Sipas “VE”, mosdalja e filmit nuk do të ishte e drejtë për pjesën tjetër të kastit të aktorëve, Ansel Elgort, Taron Egerton, Emma Roberts, Jeremy Irvine, Cary Elwes, Judd Nelson e Billie Lourd, sepse dënimi i Spaceyt nuk duhet të penalizojë të tjerët.