Anulohet festivali “Sunny Hill” për këtë vit

Festivali “Sunny Hill’ që vitet e fundit është rikthyer në traditë në Kosovë është anuluar për shkak të pandemisë COVID-19.

Kjo gjë u konfirmua nga faqja zyrtare e këtij festivali, ku thonë se me keqardhje njoftojnë se janë detyruar ta anulojnë “Sunny Hill” për këtë vit.

“Me zemër të thyer duhet t’njoftojme se Sunny Hill Festival 2020 nuk do të zhvillohet këtë gusht, për shkak të krizës globale të shkaktuar nga Covid-19. Shëndeti dhe siguria e pjesëmarrësve të festivalit, stafit tonë, partnerëve, artistëve tanë, miqve dhe komunitetit të përgjithshëm të festivalit është me shumë rëndësi për të gjithë ne”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Por, organizatorët njoftojnë se festivali do të vazhdojë në gusht të vitit të ardhshëm, ku do të marrin pjesë emra të njohur.

“Tashmë ne mezi presim të takohemi përsëri në gusht 2021 me shumë gjëra të mëdha që na presin përpara. Vendndodhja e re, artistët më të mirë, fushat më të mëdha dhe zonat e argëtimit, amfiteatri i ri natyror…”, vazhdon njoftimi.

Në përfundim, organizatorët e “Sunny Hill Festival” bëjnë thirrje për kujdes dhe për të ndjekur këshillat e autoriteteve shëndetësore gjatë gjithë kohës.