AMA gjobit për shkelje disa televizione në vend

Bordi i Autoritetit të Mediave Audiovizive në mbledhjen e ditës së sotme mori masë për
disa Operatorë të Shërbimeve Mediatike Audiovizive. Bazuar në ankesat e ardhura në drejtim të AMA-s, Këshilli i Ankesave mori në shqyrtim
dhe propozoi Bordit masën përkatëse për rastet e mëposhtme.

Televizioni Ora News
Masën administrative me gjobë në vlerën 400.000 lekë, ndaj Televizionit Ora News, për
emisionin “Ju flet Moska”, të transmetuar në datën 18 Mars 2019 me temën “Skënderbeu
dhe vrasjet në xhamitë e Zelandës së Re”.
Bordi çmon se deklarime të tilla janë në shkelje të Ligjit nr.97/2013 “Për mediat
audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Televizioni Report TV
Masën admministrative me gjobë në vlerën 200.000 lekë, ndaj Televizionit Report TV, pasi
në emisionin “Pa gjurmë”, të datës 14.01.2019, janë dhunuar të drejtat e një fëmije, duke
cenuar privatësinë dhe dinjitetin e tij.
Gjatë këtij emisioni është shkelur Ligji nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën
e Shqipërisë”, i ndryshuar, i cili sanksionon detyrimin që, në transmetimet e tyre mediat
audiovizive të ruajnë konfidencialitetin dhe të respektojnë privatësisë e fëmijës, si dhe Kodi
i Transmetimit, në Seksioni 5 të tij, “Fëmijët në transmetimet audiovizive”

Televizioni News 24
Masën administrative me gjobë në vlerën 120.000 lekë, ndaj Televizionit News 24, për
edicionin informativ qendror të datës 15.03.2019 ora 19.00. Këshilli i Ankesave evidentoi
dy reklama të fshehta të dhëna njëra pas tjetrës. Këto kronika bien ndesh me kërkesat e
Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, i cili
në nenin 42, pika 1, përcakton se “komunikimet me natyrë tregtare në transmetimet
audiovizive duhet të jenë qartësisht të dallueshme si të tilla. Komunikimet me natyrë
tregtare të fshehura janë të ndaluara”.

Televizioni Klan
Masën administrative me gjobë në vlerën 120.000 lekë, ndaj Televizionit Klan, pasi në
programin “Rudina”, të datës 27.03.2019, nuk janë respektuar kërkesat për reklamat dhe
komunikimet tregtare.
Përmbajtja e transmetuar në pjesën e dytë të programit “Rudina” kishte dhe reklamë të
fshehur, që përbën mosrespektim të kërkesave të Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive
në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nenin 42, pika 1, si dhe nenin 44.
Ndërkohë, që të intervistuarit kanë shkelur dhe “Kodin e etikës dhe deontologjisë
mjekësore”, pika 3 e nenit 60 ku ndalohet për mjekun, “të merret me reklama a publicitet të
çfarëdo lloji, me përjashtim të rasteve kur këto kanë qëllim shkencor apo edukativ.

Televizioni Ora News
Bordi vendos tërheqjen e vëmendjes për Televizionin Ora News, pasi në Emisionin “Why
not”, të datës 07.04.2019, ora 19.00, rezulton në shkelje të normave ligjore dhe etike.
Bordi vëren se “fjalori i përdorur gjatë bashkëbisedimit dhe përgatitja e cigareve në studio,
para kamerave, promovon përdorimin e duhanit dhe produkteve të tjera të tij, si dhe nxit
fëmijët për përdorimin e këtyre produkteve të dëmshme jo vetëm për shëndetin e fëmijëve”.
Kjo jo vetëm që dëmton dhe cënon fëmmijet por gjithashtu bie ndesh me Ligjin organik
dhe Kodin e Transmetimit, i cili detyron OSHMA-të të vendosin shenja paralajmëruese.

Transmetimet në Gjuhen e Shënjave
Bordi i AMA-s tërjeq vëmendjen operatorëve audiovizivë me licencë kombëtare për
zbatimin e Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i
ndryshuar, mbi transmetimet për personat me nevoja të veçanta shqisore dhe marrjen e
masave për konkretizimin e transmetimeve me bazë gjuhën e shenjave.

Masat e sotme janë rrjedhojë e disa tërheqjeve të vëmendjes ndaj këtyre subjekteve për të
respektuar këto tre prioritete.
AMA gjen rastin të apelojë operatorët mediatikë që të respektojnë ligjin dhe kodin e
transmetimit gjatë veprimtarisë së tyre.