Akuzat për ngacmim seksual, aktori vetëdeklarohet i pafajshëm

Aktori i njohur amerikan Kevin Spacey u paraqit në një seancë gjyqësore në shtetin Massachusetts, për t’iu përgjigjur akuzave se në vitin 2016 kishte sulmuar seksualisht një adoleshent në një klub të qytetit Nantucket.
Aktori, fitues i Çmimit “Oscar”, nuk i pranoi akuzat. Më shumë se një vit më parë, ish-folësja e një televizioni të Bostonit, Heather Unruh, e akuzoi aktorin se kishte sulmuar seksualisht djalin e saj 18-vjeçar, pasi e kishte dehur atë në klubin plot me njerëz, ku i biri punonte si ndihmës.
Avokati i aktorit, Alan Jackson, është përpjekur të gjejë të çara në akuzën e paraqitur, duke thënë se adoleshenti nuk e raportoi menjëherë ngjarjen.
Nëse shpallet fajtor nga gjykata, Kevin Spacey, i njohur sidomos për rolin në serialin “House of Cards”, mund të përballet me 5 vjet burg. Kjo është çështja e parë penale kundër aktorit 59-vjeçar, pas akuzave të tjera për sjellje të pahijshme seksuale të ngritura ndaj tij në vitin 2017.