Flamuri i Kosovës nuk do të lejohet të valëvitet në Eurovision

Flamuri i Kosovës është renditur krah atij të ISIS dhe të disa vendeve të tjera që nuk i njohin shumica e shteteve në botë, si i ndaluar për t’u valëvitur në garën më të madhe evropiane të muzikës, “Eurovision”. Kjo është bërë me dija në një rregullore të këtij manifestimi të organizuar nga Unioni i Transmetuesve Evropianë (EBU). Ndërsa ka bërë me dije se cilët flamuj do të lejohen që të valëviten në publikun e sallës në Stokholm të Suedisë, ku sivjet do të mbahet festivali, rregullorja ka shkruar se brenda do të lejohen flamujt e 42 shteteve pjesëmarrëse dhe flamujt e vende të tjera që janë anëtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. E ndërsa ka renditur flamujt, në mesin e të cilëve i pari është ai i Kosovës, rregullorja thotë se: “Këta flamuj janë specifikisht të ndaluar për t’u shfaqur në publik”.