Zjarret në Athinë, qeveria shqiptare jep 100 mijë euro ndihmë

Qeveria shqiptare ka ofruar një ndihmë prej 100 mijë euro për shtetin grek, për të përballuar situatën e krijuar nga zjarret që përfshinë një zonë të Athinës.

Sipas vendimit të qeverisë shuma jepet për lhetësimin e pasojave të dëmeve të shkaktuara nga zjarret masive të muajit korrik 2018 në Republikën e Greqisë.

Ky fond do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2018, ndërkohë që ministritë përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi me firmën e kryeministrit Rama janë ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ajo e Financave.

Kryeministri Rama shkruan në Facebook: “Shqipëria ndjehet veçanërisht pranë Greqisë fqinje në këto orë tragjike për ata që humbën të dashurit e tyre dhe po përballen me pasojat e dhimbshme të një zjarri të tërbuar! Qeveria Shqiptare sapo aprovoi një donacion në shenjë solidariteti me vëllezërit e motrat tona”

Ministri i MEPJ, Ditmir Bushati në një postim në rrjetet sociale shprehu solidaritetin e shtetit shqiptar dhe gatishmërinë e vendit për të ndihmuar fqinjët tanë, ndërsa bën të ditur se ambasada shqiptare në Athinë vijon të mbetet në kontakt me autoritetet greke dhe komunitetin shqiptar të prekur nga tragjedia.