Zbulon se ka 3 miliardë lireta, por nuk i konverton dot

Mund të ishte bërë milioner, por është gjendur vetëm me një valixhe plot me miliarda lireta që janë, sipas ligjit, letra pa vlerë.

Kjo i ka ndodhur një bankieri italian, Luigi C. që në korrik të 2017-s, me vdekjen e gjyshit, ka trashëguar të gjithë pasurinë dhe llogaritë e tij bankare.

E në trashëgimi përfshihej edhe një kasafortë sigurie në një Bankë në Zvicër ku ndodhej edhe thesari.

Por fatkeqësisht për të e gjithë ajo pasuri është e pavlerë, pasi kanë përfunduar afatet e konvertimit të liretave në euro, monedha zyrtare në Itali prej vitesh.

Por ai nuk dorëzohet, e duke qenë se e njeh mirë ligjin falë edhe profesionit të tij si bankier, ai kërkon që të përfitojë nga këto para, që mbetet e paqartë se si gjyshi i tij i ka përfituar.

Ligji parashikonte 10 vite kohë për konvertimin e liretës, pra kufiri ishte 2012-a. Por dëshira për t’i mos i humbur ato e kanë shtyrë të hapë një çështje thuajse në ekstremitet. Avokatët e tij pretendojnë e do të përpiqen që të dëshmojnë se 10 vitet e moratoriumit të parashikuara nga ligji nuk janë të llogaritura nga hyrja në fuqi e euros, përsa kohë që sasia e liretave për t’u konvertuar nuk ishte zbuluar.