Ylli i muzikës latino-amerikane vdes në një aksident në Milano

Ka ndërruar jetë në moshën 42-vjeçare, këngëtarja latino-amerikane Paulina Calahorrano. Ajo vdiq në Milano si pasojë e një aksidenti automobilistik.

Mediat italiane shkruajnë se Paulina po udhëtonte me një makinë elektrike që drejtohej nga një mik i saj 26-vjeçar, kur një suv është përplasur mbi ta. Aksidenti fatal ka ndodhur gjatë natës në rrugën Legioni Romane, në Milano.

Sipas “Tgcom”, që në momentin e parë pas aksidentit kushtet e saj shëndetësore dukeshin pa shpresa. Gjithashtu bëhet e ditur se ylli i muzikës ekuadoriale është shoqëruar në spital, ku ka humbur jetën.

Ndërkohë nga raportimet e policisë lokale mësohet se makina elektrike drejtohej nga një tjetër person me të cilin udhëtonte këngëtarja, që është përplasur me një “Porsche”, ku janë përfshirë edhe shtatë mjete të tjera.

Shoferi i Suv dhe ai i makinës elektrike, një 27-vjeçar dhe tjetri 26-vjeçar, janë dërguar në spital por në gjendje më pak të rëndë.

“Ishte një nder dhe krenari kombëtare e Ekuadorit”, thuhet në një komunikatë për shtyp në “Milano Latin Festival”, ku këngëtarja ka marrë pjesë shumë herë.

“Nuk ishte vetëm një këngëtare e madhe latine, por edhe një mikeshë e dashur për të gjithë ne”, shkruhej më tej në këtë komunikatë. Gjithashtu fansat kanë shprehur ngushëllime nëpërmjet rrjeteve sociale.

42-vjeçarja është e njohur për karrierën e saj dhe për impenjimin në fushata kundër dhunës ndaj grave. Paulina Calahorrano jetonte prej disa kohësh në Milano dhe merrte pjesë në koncerte në të gjithë Italinë, Europën si dhe në festivale dhe programe radiofonike dhe televizive.

Sipas mediave italiane, ajo ishte bërë një ambasadore e muzikës së vendit të saj.