“U2”, Roma në delir për “The Joshua Tree”

“Nata më e bukur ndonjëherë”, – kështu u shpreh Bono nga skena e stadiumit “Olimpico” në Romë, përpara rreth 60 mijë fansave, për të festuar 30 vjetët e albumit “The Joshua Tree”. Koncerti u hap nga Noel Gallagher dhe grupi i tij “High Flying Birds”.

Lideri i “U2” u shpreh disa herë në italisht për të kënaqur fansat e tij, duke thënë: “Jeni fantastikë, jeni si një familje”. Por dhe ata ia këmbyen dashurinë shumëvjeçare. Gjatë këngës “With Or Without You”, turma mbante në duar pankarta ku shkruhej “30” dhe foton e “Joshua Tree”, pema e shkretëtirës kaliforniane prej së cilës ka marrë dhe emrin albumi i vitit 1987.

Koncerti ishte i fokusuar kryesisht te këngët e albumit dhe u kënduan në të njëjtën radhë që ishin publikuar edhe 30 vjet më parë.

Nuk munguan as dedikimet. “U2” kënduan “Heroes” të David Bowie, si dhe këngën e tyre “Pride”, për mikun Luciano Pavarotti.

Koncerti kishte edhe nota politike, kryesisht kundër presidentit amerikan. U prekën tema si të drejtat e njeriut, demokracia e munguar, ndryshimet klimaterike, emigracioni dhe homazh për gratë, që u shoqërua me foto të figurave femërore si Rosa Parks, Patti Smith, Angela Merkel e Christine Lagarde.

Sipari u ul me “Beautiful Day”, “Elevation”, “Vertigo”, “Ultraviolet”, “One”, “Litte Things”.