Tronditet bota e modës, vetëvritet modelja me sytë më të bukur

Një modele dhe studente e mjekësisë e cila u shfaq para pak muajsh në kopertinën e Vogue dhe u dekorua nga presidenti i shtetit të saj me titull për këtë arritje është vetëvrarë në konviktin e fakultetit të saj në Bangladesh. Raudha Athif, 21 vjeç, studente e vitit të dytë në Islami Bank Medical College në qytetin Rajshahi, është gjetur e pa jetë në dhomën e saj të mërkurën.

Mahmuda Begum, kujdestare e konviktit të vajzave, u shpreh se ajo gjithmonë dukej e lumtur dhe se nuk mund të besojë veprimin që ka bërë.

“Isha në zyrën time, kur befas dëgjova zërat e vajzave nëpër konvikt. Pasi u ngjita menjëherë në kat të dytë pashë disa studente duke tentuar të hapnin derën e njërës prej dhomave”, ka thënë Begum.

Dera ishte e kyçur nga brenda.“Menjëherë kuptuam se bëhej fjalë për një skenë vetëvrasjeje, megjithatë nuk mund të dalim në asnjë konkluzion pa parë analizat e autopsisë”, ka shtuar ajo.Fotoja që e ka bërë të njohur vajzën nga Maldive ka qenë ajo e shkrepur nga fotografi Sotti, i cili e quajti atë “vajza nga Maldivet me sytë ngjyrë gurkali”. Kjo foto bëri xhiro në internet në vitin 2014.Ndërsa fama e saj u rrit edhe më shumë kur u shfaq në kopertinën e Vogue India në tetor të vitit që lamë pas.