Teatri i Liqenit çelet më 1 qershor me këngëtarin grek Jorgos Dalaras

Teatri i hapur i Liqenit do të ketë koncertin e tij të parë më 1 qershor. Nga një hapësirë e lënë prej vitesh në degradim të plotë, Amfiteatri i Liqenit do t’i rikthehet qytetarëve në një skenë teatrore në natyrë.

Punimet janë drejt përfundimit, ndërsa pjesa e skenës së re teatrore është gati, po ashtu edhe vendi i publikut, sallat teknike, dhomat e zhveshjes.

Teatri i Hapur, i pajisur me një skenë të mbuluar e me ndriçim të përshtatshëm, do të mirëpresë publikun me festivale, koncerte, teatër, konferenca, shfaqje të cirkut e kinema verore në të katër stinët, duke e shndërruar këtë pjesë të parkut në një pikë të rëndësishme kulturore e argëtimi për qytetarët.

Inaugurimi i Teatrit të hapur pritet të bëhet në fund të majit ndërsa Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka nisur edhe rezervimet për eventet, ku i pari pritet të mbahet me rastin e festës së fëmijëve, më 1 Qershor, ku këngëtari grek Jorgos Dalaras është parashikuar të mbajë një koncert.