Të rinjtë italianë që çojnë kinemanë në vendet e izoluara

Prej tetë vjetësh, dy të rinj italianë, Davide e Francesca jetojnë në një kamion-rulotë lëvizëse dhe kanë një mision, ta çojnë kinemanë në vendet më të izoluara të botës. Projekti “Cinema du Desert” ka kaluar nga Afrika, në Siberi dhe Mongoli.

Ata e kanë shndërruar rulotën e tyre në një kinema lëvizëse dhe udhëtojnë më muaj për të arritur në zona tepër të largëta, duke përshkuar mijëra kilometra përmes Afrikës, Europës dhe Azisë. Kanë pasur rreth 27 mijë shikues, me një mesatare prej 40-50 filmash të projektuar në vit.

Për shumë banorë në këto zona të izoluara kjo është mënyra e vetme për të parë një film. Një djalë në një fshat i pati thënë: “Falë jush pashë gjëra që s’i njihja më parë; detin, qytete të mëdha”. Ndërsa në një vend tjetër, një grup spektatorësh u ngrit dhe u larguan me vrap, kur po shikonin skenën e një kamioni që kalonte sipër kamerës. Mendonin se do t’i shtypte. Për shumë prej tyre kjo ishte hera e parë që shikonin një film, apo imazhe të xhiruara me kamera.

/Triplemedia.al/