Sulmet kibernetike bllokojnë 99 shtete

99 shtete të ndryshme të botës janë bërë pre e një sulmi kibernetikë. Spitalet, kompanitë e mëdha dhe zyrat e administratave në mbarë globin u goditën nga një sulm masiv kibernetikë që merr nën kontroll kompjuterët, derisa të paguhet një shumë parash.

Sipas ekspertëve, përdoruesit kanë 6 orë në dispozicion për të paguar shumën fillestare prej 300 dollarësh, e cila rritet vazhdimisht me kalimin e orëve.

Përfaqësues të një kompanie të sigurisë kibernetike deklaruan se vetëm gjatë së premtes regjistruan 75.000 sulme të tilla në 99 shtete. Thuhet se vendet më të shënjestruara janë Rusia, Ukraina dhe Tajvani.

Sulmi i paprecedent ka bllokuar edhe spitalet në Britaninë e Madhe, ku janë anuluar operacione të shumta për shkak se mjekët nuk kanë akses në të dhënat e pacientëve.

Për shkak të kaosit, qytetarëve u është kërkuar të mos u drejtohen spitaleve, përveçse në rastet e emergjencave mjekësore.

Autoritetet në Spanjë gjithashtu bëjnë të ditur se virusi po shpërndahet me shpejtësi dhe sipas ekspertëve, ky është incidenti i sigurisë kibernetike më i madh që është parë ndonjëherë.