Skënderbeu rifiton titullin kampion në CAS

Skënderbeut i është rikthyer titulli kampion i sezonit 2015-2016, i hequr nga Komisioni i Disiplinës i futbollit shqiptar.

Klubi korçar ka njoftuar përmes faqes së vet zyrtare në rrjetet sociale se gjykata e arbitrazhit sportiv, CAS, ka pranuar kërkesën e dorëzuar nga Skënderbeu në gusht të vitit të kaluar.

“Pas kërkesës së Skënderbeut kundër vendimit të 23 qershorit 2017 të Komitetit të Etikës të Federatës Shqiptare të Futbollit, CAS vendos anulimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Arbitrazhit sportiv.

Pasi u ndëshkua nga UEFA me një vit larg Europës si masë administrative në kuadër të hetimeve që inspektorët e qeverisë europiane të futbollit po kryenin për trukim ndeshjesh, ndaj skuadrës korçare, Komisioni i Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit mori vendim për t’i hequr titullin kampion të sezonit 2015-2016.

Pas këtij vendimi të Etikës, Partizani kërkoi që t’i jepej ky titull, por Skënderbeu e apeloi çështjen në CAS dhe kjo e fundit i ka dhënë të drejtë duke rrëzuar vendimin e drejtësisë sportive shqiptare dhe duke u rikthyer korçarëve titullin kampion.